Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Arifi, ka kritikuar ashpër konferencën e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Arifi e ka cilësuar paraqitjen e dy ministrave para mediave si “të poshtër”, duke thënë se ata nuk treguan përgjegjësi për dështimet në institucionet që drejtojnë.

“Në vlerësimin tonë, kjo është një konferencë, thënë më së buti, shumë e poshtër e dy zyrtarëve publikë të shtetit të Kosovës, në raport me qytetarët e Kosovës, në raport me një rast që e ka tronditur çdo qytetar të Kosovës”, deklaroi Arifi.

Ai ka kritikuar gjithashtu atë që e konsideron arrogancë dhe cinizëm të dy ministrave, duke thënë se gjatë konferencës ata folën për informacione që qytetarët tashmë i kishin mësuar nga mediat.

Sipas Arifit, dështimet në disa nivele të sistemit institucional kërkojnë përgjegjësi të qartë politike.

“Pra, ne si Aleancë nuk kemi asnjë konkluzion tjetër se ekziston një përgjegjësi e qartë politike dhe kjo përgjegjësi politike duhet të adresohet nga Qeveria”, ka thënë ai.

Arifi kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës

Përfaqësuesi i AAK-së ka kërkuar që të dy ministrat të largohen nga pozitat e tyre, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin moral.

“Edhe ministrja Gërvalla-Schwarz, edhe ministri Sveçla duhet ta japin dorëheqjen. Jo vetëm dorëheqje morale, sepse ajo është dashur të ndodhë në moment, por dorëheqje, sepse kanë qenë inkompetentë në kryerjen e funksioneve kryesore që kanë”, deklaroi Arifi.

Ai ka bërë të ditur se AAK-ja mbështet protestën e grave në Prishtinë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestave për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Arifi ka paralajmëruar se vazhdimi i punës së dy ministrave, sipas vlerësimit të tij, nuk është në përputhje me kërkesën për llogaridhënie.

“Këta ministra duhet ta japin dorëheqjen, apo të shkarkohen”, ka përfunduar ai.

Reagimi vjen pas konferencës së përbashkët të Gërvallës dhe Sveçlës më 30 tetor, në kohën kur protestuesit po kërkojnë përgjegjësi për trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.