Policia e Kosovës ka arrestuar një person që dyshohet se ka sulmuar protestuesit gjatë marshit të mbajtur të premten në Pejë, ku qytetarët kërkuan drejtësi për Arlinda Zekajn.

Sipas raportimit të Indeksonline, personi i dyshuar për këtë përleshje është Xhevdet Tolaj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.

Incidenti ka ndodhur gjatë protestës së organizuar në Pejë, ku qytetarët, aktivistët dhe familjarët e Arlinda Zekajt u mblodhën për të kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e vrasjes së saj.

Protesta u organizua nga iniciativa “Peja Nuk Hesht”, në bashkëpunim me Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) dhe Rrjetin e Grave të Kosovës.

Marshi nisi nga Komuna e Pejës dhe vazhdoi drejt Qendrës për Punë Sociale, Policisë, Gjykatës dhe Prokurorisë, ku protestuesit kërkuan llogaridhënie për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve para vrasjes së 49-vjeçares.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje për drejtësi, ndërsa protestuesit hodhën tymuese me ngjyrë para institucioneve.

Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk janë bërë publike hollësi të tjera për rrethanat e përplasjes, ndërsa identiteti i personit të arrestuar është raportuar nga burimet e Indeksonline.

Video