Ish-imami Drilon Gashi, 39-vjeçar, ka rrëfyer historinë e emigrimit të tij në Gjermani, pasi, sipas tij, nuk arriti të siguronte një vend pune të qëndrueshëm në Kosovë, pavarësisht rreth 60 aplikimeve për punësim.
Përmes një postimi në Facebook, të publikuar të dielën, më 1 nëntor, Gashi ka treguar se pas shumë vitesh të kaluara në studime dhe angazhime profesionale, sot punon në një kantier ndërtimi në Gjermani, ku merret me vendosjen e pllakave dhe punë të tjera fizike.
Ai thotë se rreth 25 vjet të jetës ia ka kushtuar studimit të teologjisë, filozofisë dhe shkencave humane. Gjatë kësaj periudhe ka shërbyer si imam, ka punuar si këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ka vazhduar studimet në psikoterapi.
Megjithatë, sipas rrëfimit të tij, përgatitja akademike dhe përvoja profesionale nuk i kanë siguruar stabilitetin ekonomik që kërkonte për familjen.
Gashi ka deklaruar se gjatë përpjekjeve për punësim në Kosovë kishte aplikuar në rreth 60 pozita, duke u përballur me refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të vazhdueshme.
Ai tregon se kishte punuar edhe për paga prej 500 deri në 600 euro, në kushte që, sipas tij, ndonjëherë nuk plotësonin as standardet elementare për punëtorët.
Me katër fëmijë dhe detyrime bankare, vendosi të largohej nga Kosova
Në rrëfimin e tij, Gashi ka treguar se përgjegjësitë ndaj katër fëmijëve dhe detyrimet financiare e shtynë të merrte vendimin për emigrim.
Ai thekson se nuk ndihet i turpëruar nga puna në ndërtimtari dhe se puna fizike nuk e ul vlerën e askujt. Megjithatë, shpreh zhgënjimin që vitet e investuara në arsimim nuk i sollën sigurinë ekonomike që kishte synuar.
Ish-imami ka ngritur shqetësime edhe për mundësitë e punësimit në Kosovë, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe vlerësimin e meritës në institucione dhe kompani.
“Nuk kërkoj që shteti të më japë punë pa meritë. Nuk kërkoj mëshirë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka sqaruar se nuk pretendon që çdo refuzim në konkurset ku ka aplikuar të ketë qenë i padrejtë, duke pranuar edhe përgjegjësinë për vendimet e tij personale.
Pavarësisht largimit, Gashi ka shprehur lidhjen e vazhdueshme me Kosovën dhe dëshirën që qytetarët të kenë mundësi të ndërtojnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre.
Rrëfimi i tij ka rikthyer në vëmendje sfidat e punësimit dhe vështirësitë ekonomike që, sipas tij, ndikojnë në vendimet e qytetarëve për t’u larguar nga Kosova.






