Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke rikthyer në vëmendje informacionet që, sipas saj, institucionet e drejtësisë i kishin marrë para se 49-vjeçarja të vritej në Vitomiricë të Pejës.
Të dielën, më 1 nëntor, Gërvalla ka shpërndarë një pjesë të deklarimit të saj nga konferenca e 30 tetorit, ku kishte prezantuar gjetjet e raportit për veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.
Sipas ministres, Prokuroria Themelore në Pejë kishte qenë e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt që nga 10 korriku i këtij viti.
Ajo ka theksuar se më 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes, edhe kryeprokurorja e atëhershme, Lumturie Vuçetaj, ishte njoftuar me shkrim se Arlinda kishte raportuar një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj.
Gërvalla: Prokurorja refuzoi të hapte rast për kanosje
Duke iu referuar dokumentacionit të shqyrtuar, Gërvalla deklaroi se prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar hapjen e një rasti për kanosje lidhur me kërcënimin e raportuar nga Albert Sylaj.
Sipas saj, prokurorja kishte kërkuar nga personi i dyshuar që të siguronte pamjet e kamerave të sigurisë. Megjithatë, në dokumentacionin e disponueshëm për hartuesit e raportit nuk kishte të dhëna që tregonin nëse pamjet ishin dorëzuar dhe cilat veprime ishin ndërmarrë më pas.
Më 25 tetor, Albert Sylaj dyshohet se vrau Arlinda Zekajn, ndaj së cilës ekzistonte një urdhër mbrojtjeje.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Pejë, në një sqarim të publikuar më 26 tetor, kishte deklaruar se kryeprokurorja kishte pranuar një kërkesë nga Arlinda më 22 tetor dhe e kishte adresuar atë te institucionet kompetente.
Prokuroria kishte bërë të ditur gjithashtu se më 23 tetor ishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, për kanosje në kuadër të marrëdhënies familjare. Kjo aktakuzë lidhet me një person tjetër nga Albert Sylaj, për të cilin Gërvalla ka ngritur shqetësimin se nuk ishte hapur rast për kërcënimin e raportuar.
Pas vrasjes, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi suspendimin e kryeprokurores Lumturie Vuçetaj dhe prokurores së përfshirë në trajtimin e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, si dhe inicimin e procedurave përkatëse.
Raporti i prezantuar nga Ministria e Drejtësisë më 30 tetor është cilësuar si pjesërisht i plotë, pasi disa institucione nuk kishin dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Përgjegjësitë eventuale individuale mbeten për t’u përcaktuar nga organet kompetente.






