Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën, më 1 nëntor, në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete brenda një shtëpie.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka bërë të ditur se Policia është njoftuar për ngjarjen rreth orës 08:47 të mëngjesit.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi i emergjencës mjekësore.
Pas ekzaminimit në vendngjarje, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të dy personave.
Sipas Policisë, viktima mashkull ishte i lindur në vitin 1999, ndërsa viktima tjetër ishte një foshnjë. Deri tani nuk janë bërë publike të dhëna për moshën e saktë të foshnjës apo lidhjen familjare ndërmjet viktimave.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes.
Rasti është cilësuar nga autoritetet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, po ndërmarrin veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave.
Shkaqet e vdekjes së dy personave mbeten ende të panjohura. / Raporton Sinjali






