Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar mënyrën e organizimit të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, duke ngritur shqetësime për politizimin e procesit dhe përzgjedhjen e dëshmitarëve.
Gjatë mbledhjes së mbajtur të hënën, më 9 nëntor, Kica-Xhelili kundërshtoi përfshirjen në listën e dëshmitarëve të personave që, sipas saj, nuk kanë lidhje me institucionet shtetërore përgjegjëse për trajtimin e rastit.
Ajo përmendi propozimin e kryetarit të komisionit, Burim Ramadani, për përfshirjen e deputetit të LDK-së, Fadil Hadëgjonaj, në listën e dëshmitarëve, duke vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e një propozimi të tillë.
Sipas deputetes, komisioni parlamentar nuk duhet të marrë rolin e Prokurorisë në hetimin e personave privatë që mund ta kenë njohur familjen e viktimës. Përkundrazi, ajo kërkoi që hetimi të përqendrohet te përgjegjësitë e institucioneve shtetërore.
Kica-Xhelili theksoi se komisioni duhet të analizojë veprimet dhe mosveprimet e Qendrave për Punë Sociale, Policisë, Prokurorisë, institucioneve të drejtësisë dhe ministrive përgjegjëse.
Ajo rikujtoi se kishte propozuar përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve që duhet të shqyrtohen, por kërkesa e saj nuk kishte marrë mbështetjen e shumicës.
Deputetja kritikoi edhe përplasjet politike brenda komisionit, duke kërkuar që anëtarët të përqendrohen në identifikimin e përgjegjësive institucionale dhe jo në debate që nuk ndihmojnë zbardhjen e rastit.
“A po dojmë me bo ping-pong teatrik këtu?”, u shpreh ajo gjatë diskutimit.
Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ngriti shqetësime për mënyrën se si ishte miratuar plani i veprimit në mbledhjen e mëparshme.
Ajo tha se përfaqësuesit e opozitës kishin pasur mospajtime për disa pika të planit, të cilat, sipas saj, nuk ishin adresuar përpara miratimit të tij.
Kabashi-Ramaj theksoi se komisioni duhet të ketë një qëllim më të gjerë sesa shqyrtimi i përgjegjësive për një rast të vetëm.
Sipas saj, përveç identifikimit të veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve, komisioni duhet të hartojë rekomandime konkrete që do t’i ndihmonin autoritetet të parandalonin raste të ngjashme të dhunës ndaj grave.
Ajo kërkoi që anëtarët ta shfrytëzojnë mandatin e kufizuar të komisionit për të propozuar masa të zbatueshme, të cilat mund të përmirësojnë reagimin institucional dhe mbrojtjen e viktimave.
Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt është themeluar nga Kuvendi i Kosovës më 29 tetor 2026, me 90 vota për.
Ai përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat maksimal gjashtëmujor për shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve institucionale lidhur me vrasjen e Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Në mbledhjen e parë, të mbajtur më 2 nëntor, anëtarët u pajtuan të kërkonin raporte dhe dokumentacion nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera të përfshira në trajtimin e rastit.
Komisioni synon të identifikojë mangësitë institucionale, të shqyrtojë përgjegjësitë eventuale dhe të hartojë rekomandime për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së viktimave të dhunës.






