Komisioni Parlamentar për Arsim dhe Shkencë ka miratuar të hënën propozimin e Qeverisë për përbërjen prej 15 anëtarësh të Këshillit Kombëtar të Shkencës, pas diskutimeve për kriteret e përzgjedhjes, përfaqësimin gjinor dhe përgatitjen profesionale të kandidatëve.

Ministri i Arsimit, Hajrullah Çeku, gjatë raportimit para Komisionit, të drejtuar nga Enver Hoxhaj, ka shpjeguar se gjatë procesit të nominimit është synuar një përfaqësim më i balancuar ndërmjet grave dhe burrave.

Sipas Çekut, lista fillestare e kandidatëve, e pranuar pas thirrjes publike, dominohej nga burrat. Për këtë arsye, ai kishte kërkuar nga institucionet shkencore që të shqyrtonin mundësinë e propozimit të më shumë grave.

Ministri ka theksuar se kërkesa kishte për qëllim respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore, por edhe promovimin e grave shkencëtare dhe hulumtuese në institucionet vendimmarrëse.

Ai ka bërë të ditur se Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik dhe Instituti Pedagogjik ishin ndër institucionet të cilave u ishte kërkuar të shqyrtonin propozimin e kandidateve gra.

Nga lista përfundimtare prej 15 kandidatëve, shtatë janë gra dhe tetë burra.

Gjatë mbledhjes, Çeku është pyetur edhe për përkatësinë ose afërsinë e mundshme politike të disa kandidatëve.

Ai ka deklaruar se simpatitë politike nuk duhet të ndikojnë në vlerësimin e përgatitjes profesionale, duke theksuar se kandidatët duhet të gjykohen në bazë të aftësive dhe kontributit të tyre shkencor.

Ministri është pyetur gjithashtu për kandidatët që nuk kanë titull doktorature ose që e kanë fituar atë së fundmi.

Sipas tij, gjatë përzgjedhjes janë shqyrtuar edhe publikimet shkencore dhe veprimtaria hulumtuese, për të vlerësuar kontributin profesional të secilit kandidat.

Çeku ka sqaruar se në listën e propozuar nuk është përfshirë asnjë përfaqësues nga kolegjet private, për shkak të numrit të vogël të nominimeve dhe ngjashmërisë së profileve me kandidatët e tjerë.

Kandidatët e propozuar për Këshillin Kombëtar të Shkencës janë:

  1. Aliriza Arënliu, Psikologji
  2. Arbnora Dushi, Folkloristikë
  3. Armond Daci, Farmakologji
  4. Arven Syla, Energjetikë
  5. Besnik Krasniqi, Ekonomi dhe Ndërmarrësi
  6. Emine Kalaja-Hajdari, Histori
  7. Fetah Podvorica, Elektrokimi
  8. Ibrahim Krasniqi, Ekonomi dhe Menaxhim
  9. Majlinda Bregasi, Gjuhësi
  10. Mentor Alishani, Veterinari
  11. Mihone Kerolli-Mustafa, Inxhinieri Mjedisore
  12. Mimoza Ibrani, Telekomunikacion
  13. Myzafere Krasniqi-Limani, Elektronikë
  14. Tringa Dedi, Pedagogji
  15. Valmir Krasniqi, Matematikë

Propozimi për këta kandidatë ishte miratuar fillimisht nga Qeveria e Kosovës më 28 tetor 2026, ndërsa më 9 nëntor mori miratimin e Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Shkencë.

Procesi i nominimit ishte shoqëruar edhe me kundërshtime. Historiani Shkodran Imeraj kishte kërkuar rishqyrtimin e kandidaturës së propozuar në fushën e historisë, duke ngritur shqetësime për respektimin e procedurave të nominimit.

Sipas Ligjit për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, Këshilli Kombëtar i Shkencës përbëhet nga 15 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi i Kosovës me propozim të Qeverisë, për një mandat katërvjeçar.

Këshilli ka për detyrë të kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe teknologjik, të propozojë masa për avancimin e shkencës dhe të japë rekomandime për politikat kombëtare të kësaj fushe.

Miratimi nga Komisioni Parlamentar nuk përbën emërimin përfundimtar të kandidatëve. Për këtë nevojitet vendimmarrja e Kuvendit të Kosovës.