Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e marrjes së detyrës, duke riafirmuar mbështetjen gjermane për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Në letrën e tij, të publikuar të hënën, më 9 nëntor, Steinmeier ka vlerësuar rikthimin e funksionimit të plotë të institucioneve të Kosovës pas muajve të bllokadës politike.

Presidenti gjerman ka theksuar se funksionalizimi i institucioneve përbën një zhvillim pozitiv edhe për Gjermaninë, si një nga partnerët dhe mbështetësit e kahershëm të Kosovës.

Sipas tij, kriza e mëparshme politike ka dëshmuar rëndësinë e institucioneve funksionale dhe nevojën që subjektet politike të marrin përgjegjësi përtej interesave partiake.

Steinmeier ka nënvizuar se e ardhmja e Kosovës është në Evropë, duke kërkuar që institucionet e vendit të përqendrohen në zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik.

Ai ka veçuar tri çështje që i konsideron të rëndësishme për përparimin e Kosovës: respektimin e obligimeve ndërkombëtare, ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Presidenti gjerman ka bërë thirrje që momenti i krijuar pas tejkalimit të bllokadës institucionale të shfrytëzohet për t’i dhënë një dinamikë të re reformave.

Në përfundim të letrës, Steinmeier ka siguruar se Gjermania do të vazhdojë të jetë partnere e besueshme e Kosovës dhe ta mbështesë vendin në rrugën e integrimit evropian.

Ai i ka uruar presidentes Shiroka-Pula suksese në ushtrimin e mandatit dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve.

Letra e presidentit gjerman vjen në të njëjtën ditë kur Shiroka-Pula ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Gjatë takimit është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Presidentja ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë në proceset e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, ndërsa është vlerësuar edhe kontributi i diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.