Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ambasadoren e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IHRC), Elvana Shala, me qëllim të promovimit të arsimit gjithëpërfshirës dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
Marrëveshja është nënshkruar të enjten, më 12 nëntor, nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe Elvana Shala, në kuadër të fushatës “Edukimi i Barabartë – E Ardhme e Barabartë”.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e qasjes së barabartë në arsim, me vëmendje të veçantë ndaj personave dhe komuniteteve të margjinalizuara.
Elvana Shala ka deklaruar se iniciativa synon përfshirjen e të gjitha kategorive shoqërore, pa dallim, duke theksuar se e drejta për arsim është një nga të drejtat themelore të njeriut.
Ajo ka kërkuar angazhim më të madh institucional për krijimin e mekanizmave që garantojnë arsim gjithëpërfshirës, jo vetëm në nivel komunal, por edhe në atë qendror.
Sipas Shalës, bashkëpunimi pritet të ndihmojë në promovimin e një mjedisi arsimor ku secili qytetar ka mundësi të barabarta për të mësuar dhe për t’u zhvilluar.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se angazhimi i komunës është i orientuar drejt mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pavarësisht prejardhjes apo gjendjes së tyre sociale.
Ai ka nënvizuar se vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kategorive të margjinalizuara, duke përfshirë personat që përballen me pengesa për shkak të gjinisë, aftësive, kushteve ekonomike apo përkatësisë së tyre.
“Të gjithë janë të barabartë në kryeqytet”, ka deklaruar Rama.
Fushata “Edukimi i Barabartë – E Ardhme e Barabartë” është mbështetur më herët edhe nga Universiteti i Prishtinës, i cili më 29 tetor nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Elvana Shalën.
Në kuadër të atij memorandumi janë paraparë aktivitete vetëdijesuese, debate, konferenca dhe sesione informuese për studentët dhe personelin akademik.
Marrëveshja e re me Komunën e Prishtinës synon të zgjerojë bashkëpunimin për promovimin e barazisë në arsim, ndërsa ende nuk janë bërë publike hollësi për buxhetin apo afatet konkrete të zbatimit.






