Grafikë e Gazeta Kombi me mbishkrimin “Lajmi i fundit”.

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një 43-vjeçareje, gjendja shëndetësore e së cilës u përkeqësua gjatë trajtimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë.

Ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 nëntor 2026, ndërsa rasti është bërë publik përmes raportit të Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, pacientja ishte paraqitur për trajtim mjekësor në QKMF-në e Klinës, ku gjendja e saj ishte përkeqësuar. Më pas, ajo ishte nisur me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Pejës, ku mjekët konstatuan se ishte pa shenja jete.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se Policia është autorizuar të sigurojë dokumentacionin mjekësor që lidhet me trajtimin e pacientes.

Në kuadër të hetimeve pritet të intervistohen edhe pjesëtarët e stafit mjekësor që kanë marrë pjesë në trajtimin e saj, si dhe dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm.

Ndërkohë, QKMF-ja në Klinë ka dhënë sqarime për rrjedhën e ngjarjes.

Sipas këtij institucioni, 43-vjeçarja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik nga një mjek infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion.

Pas fillimit të administrimit të terapisë, pacientja dyshohet se kishte shfaqur reaksion alergjik, për çka ishte dërguar në urgjencën e QKMF-së.

Atje, sipas njoftimit, mjeku internist dhe personeli tjetër shëndetësor kishin ndërmarrë masa për trajtimin e reaksionit. Megjithatë, gjendja e saj ishte rënduar dhe ishte vendosur që të transportohej drejt Spitalit Rajonal të Pejës.

QKMF-ja ka bërë të ditur se pacientja ishte shoqëruar gjatë transportimit nga një mjek dhe një infermier, ndërsa për shkak të trafikut ishte kërkuar edhe asistenca e Policisë për përshpejtimin e lëvizjes së autoambulancës.

Sipas institucionit, gjatë pjesës më të madhe të rrugës ishte kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa pas mbërritjes në Pejë pacientja ishte intubuar.

Pavarësisht masave të ndërmarra nga personeli shëndetësor, 43-vjeçarja nuk kishte arritur të mbijetonte.

QKMF-ja ka shprehur ngushëllime për familjen dhe ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me organet hetuese, duke vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është konfirmuar. Dyshimet për reaksion alergjik dhe rrethanat e trajtimit mjekësor pritet të shqyrtohen gjatë hetimeve dhe ekzaminimeve mjekoligjore.