Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka publikuar pamje të punëtorëve duke kryer detyrat e tyre në kushte të vështira atmosferike, në shi dhe temperatura të ulëta, duke përsëritur kërkesat për rritje pagash dhe realizimin e pagës së 13-të.
Përmes një videoje të publikuar të shtunën, më 14 nëntor, Sindikata ka vënë në pah angazhimin e punëtorëve në prodhimin e energjisë elektrike, pavarësisht kushteve në të cilat ata punojnë.
Në reagimin e saj, Sindikata ka shprehur mirënjohje për punëtorët dhe ka kërkuar që puna dhe kontributi i tyre të vlerësohen edhe financiarisht.
“A nuk e meritojnë këta punëtorë ngritjen e pagave dhe pagën e 13-të?”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Pamjet e publikuara tregojnë punëtorë pranë pajisjeve industriale, ndërsa Sindikata synon të tërheqë vëmendjen ndaj kushteve të punës dhe kërkesave të tyre ekonomike.
Ky reagim vjen dy ditë pas protestës së 12 nëntorit, kur punëtorët e KEK-ut u mblodhën para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues në Prishtinë.
Gjatë protestës, punëtorët kërkuan ngritjen dhe nivelizimin e pagave, realizimin e pagës së 13-të për vitin 2026, përmirësimin e kushteve të punës dhe vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës.
Nga ana tjetër, menaxhmenti i KEK-ut kishte deklaruar para protestës se gjatë këtij viti punëtorëve u ishte ndarë një bonus prej 300 eurosh dhe se paga bazë ishte rritur për 60 euro.
Sipas korporatës, kërkesat e sindikatave do të shqyrtohen duke marrë parasysh gjendjen financiare dhe sfidat operative.
Paralajmërohet protestë e re më 19 nëntor
Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se protestat do të vazhdojnë, pasi kërkesat e punëtorëve ende nuk janë përmbushur.
Protesta e radhës është paralajmëruar për të enjten, më 19 nëntor 2026, duke filluar nga ora 11:00, para zyrave të KEK-ut në objektin Toskan në Prishtinë.
Përfaqësuesit sindikalë u kanë bërë thirrje të gjithë punëtorëve që t’i bashkohen protestës dhe të qëndrojnë të bashkuar deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Deri më tani nuk është njoftuar për ndonjë marrëveshje të re ndërmjet Sindikatës dhe menaxhmentit për pagat dhe kompensimet e kërkuara.






