Komisioni Evropian ka shprehur keqardhje për interpretimin e melodisë së një kënge nacionaliste serbe në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke sqaruar se përzgjedhja ishte bërë nga grupi muzikor dhe nuk ishte miratuar nga institucioni.

Në një përgjigje për mediat, të hënën, më 16 nëntor, Komisioni Evropian ka theksuar se kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës, nuk përfaqëson qëndrimin e institucioneve të tij dhe as të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.

“Na vjen keq për këtë zgjedhje të grupit”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.

Në përgjigje theksohet se përzgjedhja e këngës prek ndjeshmëri të veçanta, duke marrë parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë.

Komisioni ka sqaruar se kënga nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimin e tij apo të komisioneres Marta Kos ndaj Kosovës dhe historisë së saj.

Institucioni evropian ka ritheksuar gjithashtu përkushtimin për pajtimin ndërmjet popujve të rajonit, duke vlerësuar se dallimet historike nuk duhet të pengojnë ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Në reagim konfirmohet se Bashkimi Evropian vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Komisioni ka komentuar edhe çështjen e përfaqësimit të Kosovës në Forumin e Zgjerimit, duke sqaruar se në aktivitet marrin pjesë përfaqësues nga vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate.

Sipas tij, pesë vende kandidate përfaqësohen nga zyrtarë qeveritarë, ndërsa Kosova përfaqësohet përmes Donika Eminit nga organizata D-Square, e cila merr pjesë në një panel kushtuar pajtimit.

Reagimi vjen pas koncertit të mbajtur më 15 nëntor në Bruksel, ku grupi slloven Marko Hatlak & Kapobanda interpretoi melodinë e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.

Gjatë koncertit nuk u kënduan vargjet e këngës, por u interpretua vetëm melodia e saj, ndërsa titulli u shfaq në ekran.

Kënga, e krijuar në vitin 1989, përmban referenca historike dhe pretendime nacionaliste që e paraqesin Kosovën si territor serb.

Interpretimi i saj në një aktivitet të organizuar nga Komisioni Evropian nxiti reagime të shumta në Kosovë.

Kryenegociatori Jeton Zulfaj, përfaqësuesi diplomatik Agron Bajrami dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ishin ndër ata që kërkuan sqarime për përzgjedhjen e repertorit muzikor.

Më herët gjatë së hënës, edhe komisionerja Marta Kos kishte shprehur keqardhje për incidentin, duke deklaruar se zgjedhja ishte bërë nga muzikantët.

Me përgjigjen e fundit, Komisioni Evropian ka konfirmuar se nuk e kishte miratuar përzgjedhjen e këngës, duke u distancuar nga mesazhet e saj politike.