Detaje të reja kanë dalë nga dosja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me operacionin antidrogë “Heshtja”, në të cilin u arrestua edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija. Në dokumentin e hetimeve përshkruhet mënyra se si dyshohet se funksiononte grupi i përfshirë në furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës, si dhe roli që Prokuroria ia atribuon secilit të dyshuar.

Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj Haraqijës dhe pesë personave të tjerë, pas aksionit të zhvilluar më 14 nëntor 2026.

Sipas dosjes, grupi dyshohet se vepronte në zona të ndryshme të Prishtinës, me role të ndara ndërmjet personave që siguronin substancat narkotike, atyre që i përgatisnin për shitje dhe shpërndarësve që i dërgonin te blerësit.

Si dyshohet se funksiononte grupi?

Jeton Stanovci, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishte rolin drejtues në grupin e dyshuar. Ai dyshohet se furnizohej me kokainë nga Mërgim Stanovci, Astrit Haraqija dhe Alban Maloku.

Pas sigurimit të narkotikëve, substanca dyshohet se ndahej në sasi më të vogla dhe i dorëzohej Gëzim Fekës, i cili një pjesë e mbante për vete, ndërsa pjesën tjetër ua jepte Arjanit Beqirit dhe Albert Krasniqit.

Këta të fundit dyshohen se e shpërndanin kokainën në doza të vogla, duke përdorur edhe automjete të marra me qira.

Në dosje përmendet edhe Baftije Feka, bashkëshortja e Gëzim Fekës, e cila dyshohet se kujdesej për ruajtjen e sasive të narkotikëve dhe të parave të përfituara nga shitja.

Ndërkohë, Albana Xhemajli-Ramadani, e cila sipas dokumentit bashkëjetonte me Jeton Stanovcin, dyshohet se kishte rol në mbledhjen e parave nga shpërndarësit.

Prokuroria pretendon se anëtarët e grupit kryenin kryesisht të dielave llogaritjen dhe barazimin e pagesave për sasitë e shitura, ndërsa më pas furnizoheshin me narkotikë për shpërndarjen e javës së ardhshme.

Çfarë thuhet në dosje për Astrit Haraqijën?

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ish-ministri dyshohet se kishte rol në furnizimin e grupit me substanca narkotike.

Hetuesit pretendojnë se Jeton Stanovci, Mërgim Stanovci dhe Haraqija takoheshin në një objekt banesor ku banonte edhe ish-ministri dhe ku dyshohet se përgatitej e ndahej kokaina në sasi më të vogla për shitje.

Prokuroria pretendon se më pas substanca i dorëzohej Gëzim Fekës për shpërndarje.

Gjatë bastisjes në banesën e Haraqijës, sipas dosjes, është sekuestruar një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë, për të cilën Prokuroria thotë se ai nuk kishte leje. Po ashtu, janë sekuestruar para të gatshme dhe dy telefona.

Përveç dyshimeve lidhur me narkotikët, Haraqija po hetohet edhe për posedim të paautorizuar të armës.

Haraqija mohon përfshirjen në rast

Ish-ministri i ka mohuar dyshimet për përfshirje në veprimtarinë e paligjshme.

Avokati i tij, Korab Bokshi, ka deklaruar se gjatë kontrollit në banesën e klientit të tij nuk janë gjetur substanca narkotike. Sipas mbrojtjes, paratë e sekuestruara janë kursime të fëmijëve të Haraqijës.

Bokshi ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet që e lidhin ish-ministrin me grupin, duke deklaruar se ai mund të ketë pasur kontakte me persona të ndryshëm për shkak të angazhimit të mëhershëm publik, por jo për veprimtari kriminale.

Si nisën hetimet dhe çfarë u sekuestrua?

Hetimet fillestare u përqendruan te Jeton Stanovci, Gëzim Feka dhe Arjanit Beqiri, ndërsa më pas u zgjeruan edhe ndaj personave të tjerë.

Më 14 nëntor, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, realizoi operacionin “Heshtja” në disa lokacione të rajonit të Prishtinës.

Gjatë aksionit u arrestuan gjashtë persona dhe u sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera të dyshuara narkotike, rreth 16 mijë euro para të gatshme, gjashtë automjete dhe sende të tjera.

Në mesin e automjeteve të sekuestruara ishin edhe vetura të markave Mercedes-Maybach, Porsche dhe Audi.

Sipas vlerësimeve të Policisë, vlera e përgjithshme e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej një muaji ndaj gjashtë të dyshuarve, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë, ndryshimit të provave dhe përsëritjes së veprës penale.

Në dosje përmenden edhe persona të tjerë nën hetim, ndërsa Mërgim Stanovci raportohet se ndodhet në arrati.

Të gjitha pretendimet për rolet e personave të përfshirë mbeten objekt i hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor. Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.