Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar vëllanë e tij, dëshmorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Luan Haradinajn, në 53-vjetorin e lindjes.

Përmes një postimi në Facebook, të martën, më 17 nëntor, Haradinaj ka ndarë një fotografi të përbashkët me vëllanë e ndjerë, të shoqëruar me një mesazh emocional.

“Luan, linde 53 vjet më parë, por për ne mbetesh përherë Luani i lirisë”, ka shkruar Haradinaj.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në Gllogjan të Deçanit. Ai ishte ndër pjesëtarët e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kontribuar në organizimin dhe përpjekjet për çlirimin e vendit.

Ai ra më 6 maj 1997, në moshën 23-vjeçare, gjatë një përleshjeje me forcat serbe në Qafën e Mullarit, në zonën e Hasit, derisa së bashku me një grup bashkëluftëtarësh po përpiqej të hynte në Kosovë.

Në atë përleshje mbetën të plagosur edhe Ramush Haradinaj, Fehmi Lladrovci dhe Rafet Rama.

Trupi i Luan Haradinajt fillimisht u varros në Vlahnë të Hasit, ndërsa pas përfundimit të luftës u rivarros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

Luan Haradinaj kujtohet si një nga luftëtarët e hershëm të UÇK-së, ndërsa familja Haradinaj vazhdon ta nderojë kujtimin e tij në përvjetorët e lindjes dhe të rënies.