Daut Krasniqi, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është ankuar se nuk është lejuar ta takojë vëllanë e tij gjatë vizitës së përkohshme në Kosovë, të autorizuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një prononcim para gazetarëve, të mërkurën, më 18 nëntor 2026, Daut Krasniqi ka shprehur zhgënjimin e tij me institucionet e Kosovës, duke pyetur se çfarë po bëhet për vëllanë e tij, i cili ndodhet në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Sipas tij, vajza e Jakup Krasniqit e kishte njoftuar se vizitat familjare ishin ndaluar, ndërsa ai kishte vendosur të mos ndërhynte për të shmangur ndonjë problem.
Dauti tregoi se nuk kishte qenë i informuar për kohën e saktë të mbërritjes së vëllait nga Haga. Ai tha se vetëm pasi djali i kishte kërkuar të dilte në ballkon, kishte parë se zona përreth shtëpisë ishte bllokuar nga forcat e sigurisë.
“Çka po bëjmë ne për të, a po më kallëzon, a është kush duke bërë najsen për të?”, u shpreh Daut Krasniqi, duke shprehur pakënaqësinë me angazhimin e institucioneve për vëllanë e tij.
Jakup Krasniqi në Kosovë për arsye humanitare
Jakup Krasniqi mbërriti të mërkurën në shtëpinë e tij në Prishtinë, ku u prit nga familjarët pas autorizimit për një vizitë të përkohshme humanitare.
Vizita raportohet se lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi, ndërsa Dhomat e Specializuara nuk kanë publikuar hollësi për arsyet konkrete familjare.
Në afërsi të shtëpisë së Krasniqit, në lagjen Velania, janë vendosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, të cilët po mbikëqyrin zhvillimin e vizitës.
Sipas informacioneve të publikuara, Krasniqi pritet të qëndrojë pranë familjarëve deri rreth orës 17:00.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se Trupi Gjykues ka autorizuar vizitën për arsye humanitare, në përputhje me rregullat e gjykatës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Gjykata ka bërë të ditur se kjo është vizita e 15-të e këtij lloji e organizuar për të paraburgosurit në Kosovë.
Kjo është hera e dytë që Jakup Krasniqi kthehet përkohësisht në Kosovë që nga transferimi në Hagë. Vizitën e parë e kishte realizuar në tetor të vitit 2024, pas vdekjes së vëllait të tij.
Më 16 shtator 2026, Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë.
Deri më tani, nuk ka një sqarim publik nga Policia e Kosovës lidhur me ankesën e Daut Krasniqit për ndalimin e takimit me vëllanë e tij.






