Personi që humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Suharekë, të mërkurën, më 18 nëntor 2026, ka mbërritur pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Sipas raportimit të Gazetës Sinjali, Spitali i Prizrenit ka bërë të ditur se viktima kishte disa plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesditës në qytetin e Suharekës, ku një person dyshohet se qëlloi me armë zjarri në drejtim të viktimës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, kishte konfirmuar se rasti u raportua rreth orës 12:20 dhe se i plagosuri ishte transportuar në gjendje të rëndë shëndetësore për trajtim emergjent.
Më vonë u konfirmua se viktima, e identifikuar në raportime si S. Daka, rreth 60 vjeç, kishte humbur jetën.
Arrestohet i dyshuari për vrasjen
Pas të shtënave, personi i dyshuar ishte larguar nga vendngjarja, ndërsa njësitë policore nisën kërkimet për lokalizimin e tij.
Më pas, Policia konfirmoi arrestimin e të dyshuarit.
Dyshimet fillestare janë se ngjarja mund të ketë ndodhur pas një konflikti lidhur me një vendparkim në zonën e qendrës tregtare “Ben Center” në Suharekë.
Megjithatë, motivi i saktë i vrasjes ende nuk është përcaktuar përfundimisht nga organet hetimore.
Policia ka siguruar vendin e ngjarjes dhe po mbledh prova e dëshmi për të sqaruar rrethanat që çuan deri te vrasja.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.






