Sylë Dakaj, i cili humbi jetën të mërkurën pas të shtënave me armë zjarri në Suharekë, do të përcillet sot, më 19 nëntor 2026, për në banesën e fundit.
Lajmin për ceremoninë e varrimit e ka bërë të ditur djali i viktimës, përmes një njoftimi mortor.
Sipas njoftimit, familjarët, miqtë dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit Dakajt në varrezat e fshatit Vershec, prej nga ishte edhe viktima.
Dakaj humbi jetën më 18 nëntor, pasi u qëllua me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ngjarja dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshjeje të çastit, në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës.
I plagosuri u transportua në Spitalin e Prizrenit, ku mbërriti pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për reanimim, u konstatua vdekja e tij.
Për këtë rast është arrestuar 60-vjeçari Rrahman Hoti, i cili dyshohet për vrasjen e Dakajt.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë.






