Igor Dodik, djali i liderit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës.
Vendimi është bërë i ditur të dielën, më 22 nëntor, nga presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq, pas konsultimeve me partitë e koalicionit qeverisës.
Igor Dodik, i cili mban postin e sekretarit organizativ të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), ka deklaruar se e pranon mandatin me përgjegjësi të plotë.
Ai ka premtuar zhvillim ekonomik, transparencë në institucionet publike dhe menaxhim më të përgjegjshëm të financave.
Duke folur për marrëdhëniet ndërkombëtare, Dodik ka deklaruar se qëndrimi ndaj Bashkimit Evropian do të varet nga respekti që BE-ja do të tregojë ndaj Republikës Sërpska.
Ai ka theksuar gjithashtu se bashkëpunimi me Serbinë do të zërë vend të veçantë në punën e qeverisë së ardhshme.
Ndërkohë, presidenti Savo Miniq ka deklaruar se pret që qeveria e re të formohet deri në mesin e dhjetorit, duke e cilësuar Igor Dodikun si mandatarin më të ri në historinë e këtij entiteti.
Igor Dodik ka lindur në vitin 1989 në Banjallukë dhe është zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska në zgjedhjet e tetorit 2026.
Sipas procedurave kushtetuese, kandidatura e tij duhet të marrë miratimin e Kuvendit Popullor. Mandatimi nuk nënkupton se ai tashmë është zgjedhur kryeministër.






