Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës do t’i rikthehen procesit mësimor të hënën, më 23 nëntor, pas bojkotit që kishte nisur për shkak të pakënaqësive me sistemin e evidentimit të vijueshmërisë.

Sipas raportimit të Gazetës Sinjali, studentët kanë vendosur t’i japin fund bojkotit dhe të vazhdojnë ligjëratat dhe praktikat klinike.

Bojkoti kishte nisur më 11 nëntor, pasi studentët kundërshtuan përdorimin e sistemit elektronik me QR-kode për regjistrimin e pjesëmarrjes në ligjërata dhe ushtrime.

Ata kishin raportuar probleme teknike me aplikacionin dhe mungesë të internetit të nevojshëm për funksionimin e sistemit.

Situata ishte tensionuar edhe më shumë pas një emaili të rektorit Arben Hajrullahu, në të cilin paralajmëroheshin pasoja akademike për studentët që vazhdonin bojkotin.

Më 19 nëntor, studentë të fakulteteve të ndryshme protestuan para Rektoratit, duke kërkuar tërheqjen e deklaratave të rektorit dhe kërkimfalje publike.

Ndërkohë, Hajrullahu ka pranuar se në Fakultetin e Mjekësisë ekzistojnë probleme të grumbulluara ndër vite dhe ka paralajmëruar shqyrtimin e alternativave për evidentimin e vijueshmërisë, si dhe hartimin e një plani për kompensimin e orëve të humbura. Mediatik

Me kthimin e paralajmëruar për të hënën, studentët pritet të rifillojnë aktivitetet akademike, ndërsa mbetet të sqarohet përfundimisht mënyra e evidentimit të vijueshmërisë.