Një aksident i rëndë trafiku në Itali i ka marrë jetën një 31-vjeçareje shqiptare, ndërsa tre fëmijë që ndodheshin në automjetin e saj kanë mbetur të lënduar.

Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, e cila jetonte në Prata di Pordenone, në veri të Italisë.

Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 22 nëntor, rreth orës 11:00, në rrugën “Vittorio Emanuele”, teksa 31-vjeçarja po shoqëronte dy fëmijët e saj dhe një mik të tyre drejt një feste ditëlindjeje në Villanova.

Sipas raportimeve të mediave italiane, automjeti i tipit “Ford Fiesta” ka dalë nga rruga në një kthesë dhe është përmbysur, duke u përplasur me një strukturë betoni.

Përplasja ka qenë fatale për shqiptaren, e cila ka mbetur e bllokuar brenda automjetit. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të shpëtimit, ajo nuk ka arritur të mbijetojë.

Nga aksidenti janë lënduar edhe tre fëmijët. Njëra prej vajzave ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit në Udine.

Dy fëmijët e tjerë janë dërguar për trajtim në spitalin e Pordenones.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe karabinierët italianë, të cilët po hetojnë rrethanat e aksidentit.

Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të daljes së automjetit nga rruga.