Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim Christine Athenor, kuratoren e përgjithshme të Bienales Ndërkombëtare të Tekstilit në Clermont-Ferrand të Francës, me të cilën ka diskutuar mundësinë e organizimit të kësaj ngjarjeje kulturore në Kosovë.
Takimi është mbajtur në Odën e Kryeqytetit, ndërsa është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës në fushën e artit dhe kulturës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se Prishtina ka potencialin të shndërrohet në një hapësirë të hapur për artin, ku ndërtesat dhe hapësirat publike mund të marrin jetë të re përmes krijimtarisë artistike.
Sipas tij, sjellja e Bienales së Tekstilit në Kosovë do të krijonte mundësi të reja për artistët vendorë dhe do ta lidhte kryeqytetin më fuqishëm me skenën ndërkombëtare të artit.
Bienalja e Tekstilit në Clermont-Ferrand është një ngjarje ndërkombëtare që bashkon artistë, dizajnerë dhe krijues nga vende të ndryshme të botës. Ajo organizohet çdo dy vjet dhe ndërthur trashëgiminë tekstile me krijimtarinë bashkëkohore.
Edicioni aktual, i titulluar “Beauté(s)”, mbahet nga 1 korriku 2026 deri më 10 janar 2027 në Clermont-Ferrand të Francës, me pjesëmarrjen e artistëve nga vende të ndryshme.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë marrëveshje konkrete për organizimin e Bienales në Kosovë.






