Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka paralajmëruar se nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara do të procedohet në Kuvend brenda kësaj jave.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Çitaku ka bërë të ditur se ekspertët janë duke i finalizuar ndryshimet në projektligj, ndërsa drafti i parë pritet të dorëzohet gjatë ditës së sotme, 23 nëntor.
Ajo ka theksuar se nisma tashmë nuk është vetëm e PDK-së, por, sipas saj, gëzon mbështetje të gjerë politike dhe institucionale.
Çitaku ka deklaruar se subjektet politike që e mbështesin projektligjin do të jenë të hapura për rekomandime dhe ndryshime gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare.
Synimi, sipas saj, është që ligji të miratohet në të dyja leximet brenda një afati sa më të shkurtër.
Nënkryetarja e Kuvendit ka folur edhe për bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje, duke pranuar se mes dy partive ekzistojnë dallime të thella politike.
Megjithatë, ajo ka theksuar se këto dallime nuk duhet ta pengojnë bashkëpunimin për çështjet që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe proceset gjyqësore në Hagë.
Më 19 nëntor, Çitaku kishte njoftuar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti ishte arritur pajtueshmëri për vazhdimin e nismës ligjore, e cila do të bazohet në tekstin e miratuar më herët nga Kuvendi, me ndryshimet e propozuara nga ekspertët.
Deri më tani, projektligji i ri nuk është proceduar zyrtarisht për miratim.






