Policia e Kosovës ka njoftuar se ka filluar rimbursimi i donatorëve për fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe në Gjermani, në kuadër të rastit të Endrit Azemit, i cili dyshohet për mashtrim me donacione.
Ndërkohë, llogaritë bankare të identifikuara në Kosovë janë bllokuar. Sipas Policisë, mjetet në këto llogari do të mbeten të ngrira deri në vendimin e gjykatës.
Azemi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e parave duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe se kishte nevojë për trajtim mjekësor.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, historia e sëmundjes dyshohet se ishte sajuar për përfitim financiar nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë.
Në kërkesën për paraburgim përmendet edhe dyshimi se ai kishte paraqitur dokumentacion të rremë, që pretendohej se ishte lëshuar nga një spital në Stamboll, për të mbështetur kërkesën për ndihmë.
Përmes platformës GoFundMe dhe aktiviteteve për mbledhjen e donacioneve në Gjilan, sipas të dhënave të paraqitura nga Prokuroria, ishin grumbulluar mbi 189 mijë euro.
Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar të hënën, më 23 nëntor, një muaj paraburgim Azemit, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e procedurës penale. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Hetimet për veprën penale “Mashtrim” vazhdojnë, ndërsa pretendimet ndaj Azemit nuk përbëjnë një vendim gjyqësor për fajësinë e tij.






