Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është lënduar të hënën, më 23 nëntor, gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, në komunën e Gjakovës.
FSK-ja ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me rastin, duke bërë të ditur se pjesëtari ka pësuar lëndime të lehta dhe se menjëherë pas incidentit i është ofruar ndihma e parë mjekësore.
Sipas njoftimit, ushtari po vazhdon trajtimin mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile. Institucioni nuk ka bërë të ditur identitetin e pjesëtarit apo hollësi të tjera lidhur me natyrën e lëndimeve.
Ndërkohë, drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka konfirmuar se ushtari fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjakovës, e më pas ishte transferuar në QKUK.
Sipas Sylës, në QKUK janë kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe pacienti ka qenë në gjendje stabile. Ai pritej të transferohej në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtejshëm.
Raportimet mediatike kanë bërë të ditur se lëndimi dyshohet të ketë ndodhur pas shpërthimit të municionit brenda armës gjatë stërvitjes. Megjithatë, FSK-ja nuk ka dhënë hollësi zyrtare për shkakun teknik të incidentit.
Në njoftimin e saj, Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se rrethanat e ngjarjes janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale.
FSK-ja ka theksuar se gjatë aktiviteteve stërvitore dhe operacionale zbatohen standardet dhe procedurat e sigurisë, ndërsa ka shprehur përkushtimin për mbrojtjen e pjesëtarëve të saj.
Në fund të njoftimit, institucioni i ka uruar ushtarit shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë.






