Një rast i pazakontë është raportuar të hënën në Shkabaj, ku një zyrtar policor ka harruar armën e tij zyrtare në një pompë të derivateve, ndërsa më pas atë e ka marrë një person tjetër.

Ngjarja ka ndodhur më 23 nëntor, rreth orës 16:30, në objektin e kompanisë “Hib Petrol” në Shkabaj.

Rastin e ka raportuar vetë zyrtari policor, i cili ka njoftuar se e kishte harruar armën e tij zyrtare në hapësirat e pompës së derivateve dhe se ajo ishte marrë nga një person tjetër.

Pas raportimit, njësitet policore kanë nisur veprimet për lokalizimin e armës dhe identifikimin e personit që e kishte marrë atë.

Hetuesit kanë shqyrtuar pamjet nga kamerat e sigurisë së objektit, përmes të cilave kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin, një mashkull kosovar.

I njëjti është ftuar nga Policia për intervistim, ku ka pranuar se e kishte marrë armën e zyrtarit policor. Sipas raportit policor, ai ka deklaruar se kishte pasur për qëllim ta raportonte më vonë rastin.

Pas intervistimit, arma zyrtare është sekuestruar nga njësitet policore, ndërsa rasti është proceduar te organet e drejtësisë.

Me udhëzim të prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Deri më tani, Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e personit të dyshuar, ndërsa nuk është raportuar se ai është dërguar në mbajtje.

Rasti ka nxitur vëmendje për rrethanat në të cilat një armë zyrtare e një pjesëtari të Policisë ka mbetur pa mbikëqyrje në një hapësirë publike, ku ka qenë e qasshme edhe për persona të tjerë.