Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra në një studio televizive, ku veprimtarë të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova janë cilësuar si bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb, UDB.

Përmes një reagimi në Facebook, Mustafa ka kundërshtuar këtë etiketim, duke thënë se deklaratat e tilla hapin rrugë për interpretime edhe më të rënda dhe të papranueshme lidhur me vrasjet e shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ai ka marrë si shembull një deklaratë ku pretendohej se disa persona ishin fshehur pas emrit të LDK-së, por ishin vrarë si UDB-ashë.

Sipas Mustafës, një logjikë e tillë mund të përdoret për të ngritur pretendime të ngjashme edhe për persona që ishin paraqitur si civilë apo pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i etiketuar më pas si bashkëpunëtorë të UDB-së.

Deputeti ka ngritur pyetjen se deri në çfarë përfundimesh mund të çojë një gjuhë e tillë, duke vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si justifikohen vrasjet e personave që kanë qenë pjesë e LDK-së, civilë apo pjesëtarë të UÇK-së.

“Deklarata si ‘UDBasha që u mshefshin si LDK, por janë vra si UDBasha’ i hapë derën deklaratave tjera njësoj të budallme se kinse ka pas ‘UDBasha që janë mshefë si civil ose si UÇK, por janë vra si UDBasha’”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka vazhduar reagimin duke pyetur nëse qëllimi i këtyre deklaratave është që të krijohet përshtypja se të gjithë personat e vrarë, qofshin pjesëtarë të LDK-së, civilë apo të UÇK-së, kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB-së.

“A po e shihni sa të budallme e idiotike dalin këto deklarata? Apo qëllimin e keni me përfundu te ‘mirë ua kanë ba që i kanë vra edhe LDK, edhe civil, edhe UÇK, se krejt UDBasha’?”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së, Xhemail Mustafa, e ka përmbyllur kundërshtimin e tij me shprehjen: “T’budallëm bre”.

Reagimi i deputetit vjen në një kohë kur debatet për historinë politike të Kosovës, veprimtarinë e LDK-së dhe figurat që kanë bashkëpunuar me Ibrahim Rugovën vazhdojnë të shkaktojnë përplasje në diskursin publik.