Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar ndalimin e katër personave të tjerë në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Sipas raportimeve të mediave, në mesin e tyre janë edhe ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, dhe ish-kunati i saj, Driton Sylaj.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, personat me inicialet N.S. dhe D.S. dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, ndërsa M.P. dhe G.B. dyshohen për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale dhe se prokurori i rastit ka marrë vendim për zgjerimin e hetimeve.
Prokuroria pritet t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Të gjithë të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.






