Home > Uncategorized > Kica-Xhelili: Gushti pushim, por jo edhe për skandalet qeveritare

Kica-Xhelili: Gushti pushim, por jo edhe për skandalet qeveritare

//
/
Comments are Off

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ia ka numëruar qeverisë Kurti të skandalet e fundit, por edhe disa më të vjetra.

Në një postim në Facebook, ajo thotë se ndonëse gushti ka qenë muaj i pushimeve, njëjtë nuk ka qenë për skandelet qeveritare.

“E dhimbshme për një shoqëri sa të vogël, aq të kufizuar për të pasur këtë dimension e sasi problemesh. Megjithatë, nuk pamë distancim nga to. Pamë justifikim. Pamë shtrembërim e lexim qëllimshëm të gabuar të ngjarjeve nga Qeveria. Pamë skandale që zinin skandalin paraprak, thuajse në tentativë ta relativizojnë njëra tjetrën. Pjesa më e dhimbshme nuk mbetet relativizimi që ja bëjnë skandaleve, as propagandimi tanimë qesharak i videove që në Netflix tanimë do të përshtateshin në zhanrin komik (tragjikomedi, madje). Jo! Pjesa më e dhimbshme, së paku për mua, është kur mundohen ende të flasin se si do ta reformojnë drejtësinë – e për këtë tashmë kam folur e i kam demantuar vazhdimisht”, thotë ish-deputetja e Listës GUXO.

Ajo thotë se qeveritarët “kur duan suspendojnë aktivistë, e kur duan mbrojnë verbërisht diplomatë. Dallimin, me gjasë, e bën fitimi”.

Në ndërkohë, ajo ia ka kujtuar qeverisë Kurti edhe zhdukjen e mostrave të aktivistit Astrit Dehari nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, por ka hedhur kritika edhe për sulmet që qeveria po ia bën gjykatave e prokurorive.

“Të njëjtit që sulmojnë gjykatat që i krijuan vet; që duke shkelur Kushtetutën synojnë ta kapin prokurorinë; që pas shkeljeve të vazhdueshme kushtetuese, ende gjejnë rehati të dalin e flasin për kushtetutshmëri, dhe atë, pasi kanë sharë e ofsharë pas çdo deputeti që kërkonte interpretimin kushtetues të ligjeve që tashmë u shpallën kundërkushtetuese. Të njëjtit që duke e kontrolluar Institutin e Mjekësisë Ligjore, lejuan që të zhduken mostra, madje duke pasur brenda zyrtar që ka afërsi me ta; të njëjtit që edhe pas gati tre vitesh, kur e shkatërruan procesin e Vetingut me faj të tyre, vazhdojnë t’i referohen sikur të ishte po ai proces. Sikur të mos kishte ndryshuar gjë”, thekson Kica-Xhelili.

Ajo thotë se “dallimi i qartë në mes të fantazisë dhe realitetit është esencial sepse krijon normalen dhe deluzionalen”.

Por, thotë se “pyetja, sidoqoftë, mbetet, çka t’i bëjmë diskursit deluzional në raport me sistemin e drejtësisë?”

“Nëse po e bëjnë qëllimshëm ose jo, më nuk dyshoj. Më as argumentimin nuk e kam me ata, por PËR të tjerët që e duan vendin, dhe me këtë rast, të vërtetën. Për ata që kur e dëgjojnë të vërtetën e hidhur, nuk ndjejnë neveri për atë që e thotë të vërtetën, por për shkaktarët e saj. Shihemi në shtator”, përfundoi deputetja e LDK-së, Doarca Kica-Xhelili. /Klankosova.tv

The post Kica-Xhelili: Gushti pushim, por jo edhe për skandalet qeveritare appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights