Home > Uncategorized > “Vitia për të gjithë”, por jo për pensionistët (VIDEO)

“Vitia për të gjithë”, por jo për pensionistët (VIDEO)

//
/
Comments are Off

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kishte garuar në zgjedhjet e fundit me sloganin “Vitia për të gjithë”. Por, duket se pensionistët nuk përfshihen në këtë slogan.

Rreth një kilometër larg qendrës së qytetit të Vitisë gjendet Zyra për Pensione. Por distanca e zyrës larg qendrës nuk është problemi i vetëm për 6 mijë pensionistë dhe invalidë, të cilët marrin pensione nga kjo zyre.

Pengesë për ta janë edhe shkallët të cilat detyrohen t’i ngjisin sa herë që vijnë këtu. E madje, kjo ngjitje, për shkak të moshës së tyre të shtyrë e gjendjes së rënduar shëndetësore, nganjëherë është e pamundur, raporton Kiks Kosova.

Prandaj, dy zyrtarë të kësaj zyre çdo ditë detyrohen të dalin në rrugë për t’i ndihmuar ata që të kryejnë punët që kanë aty.

Të shtyrë në moshë e me halle të mëdha shëndetësore, këta pensionistë shpeshherë ndihmojnë njëri-tjetrin për t’i ngjitur shkallët.

Liridona Bislimi është asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Viti dhe ajo thotë se mundohet të jetë zëri i tyre në Kuvendin Komunal, për çka ka kërkuar që të ndërrohet lokacioni i zyrës.

Bislimi propozon që Zyra e Pensioneve të vendoset në ish-objektin e Drejtorisë së Arsimit në qendër të qytetit, e cila aktualisht shfrytëzohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Propozimi i Bislimit nuk mund të miratohet, sipas Merrushe Ahmetit, e cila drejton Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë, ngase zyra e pensionisteve nuk është në fushëveprimin e tyre. Kjo pasi sipas saj zyra është nën menaxhimin e Ministrisë së Financave.

Ahmeti thotë se si drejtori nuk kanë mundësi as ta zhvendosin zyrën në katin përdhese.

Një fije shprese për pensionistët mund të jetë viti 2024, kur Ahmeti thotë se do të nisë rinovimi i këtij objekti, ku planifikohet të përfshihet edhe ashensori.

Mirëpo, për këtë plan nuk është optimist nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu.

Numri dy i Komunës së Vitisë hedh poshtë edhe propozimin e asamblistes së VV-së, që Zyra e Pensioneve të zhvendoset në degën e LDK-së në qendër, objekt i cili është në pronësi të komunës.

Megjithëse përmend një objekt te Komuna e Re ku thotë se po planifikojnë t’i ofrojnë të gjitha shërbimet, Aliu nuk garanton se në këtë objekt do të përfshihet edhe kjo zyre.

Përgjigje konkrete nga Komuna e Vitisë nuk ka marrë as Ministria e Financave, nën strehën e të cilës hyn kjo zyre. Përmes një përgjigje në e-mail, nga kjo ministri i kanë thënë Kiksit se për këtë çështje kanë realizuar disa takime me komunarët e Vitisë.

Derisa Ministria e Komuna ta gjejnë një zgjidhje, për t’ju kryer shërbimet invalidëve dhe pensionistëve, dy zyrtaret e kësaj zyre do të vazhdojnë të detyrohen të dalin në rrugë për t’i ndihmuar pensionistët.

Ndërsa pavarësisht punës që ata bëjnë dhe insistimit të Kiksit, që ata të flasin për këto sfida që përballen çdo ditë, ata nuk guxuan të flasin, pasi drejtoresha e tyre, Shpresa Kosumi, nuk u dha leje për një gjë të tillë. /Klankosova.tv

The post “Vitia për të gjithë”, por jo për pensionistët (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights