Home > Lajme > Agim Ademi bën homazhe në Prekaz për Adem Jasharin dhe dëshmorët e Kosovës

Agim Ademi bën homazhe në Prekaz për Adem Jasharin dhe dëshmorët e Kosovës

///
Comments are Off

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës.

Vizita u zhvillua pas kthimit të Ademit nga mbledhja e Komitetit HatTrick në UEFA, ku ai përfaqësoi futbollin e Kosovës.

Në Prekaz, Ademi ishte i shoqëruar nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, përfaqësues të gjeneratës së artë të futbollit të Kosovës si dhe tifozët “Dardanët”.

Gjatë homazheve, presidenti i FFK-së theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, duke e cilësuar atë si një vend që përfaqëson sakrificën dhe qëndresën për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Sipas tij, qëndresa heroike e familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari mbetet një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe një burim i përhershëm frymëzimi për brezat e rinj.

Ademi kujtoi gjithashtu se në mesin e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit kishte edhe futbollistë të talentuar, të cilët lanë pas ëndrrat e tyre sportive për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut.

Ai theksoi se sot shumë stadiume dhe fusha sportive në Kosovë mbajnë emrat e tyre, duke i bërë ata pjesë të përhershme të historisë së sportit dhe të shtetit.

Në përfundim, Ademi nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të zhvillimit të sportit dhe të shtetit të Kosovës, si mënyra më e mirë për të nderuar sakrificën e dëshmorëve.

Verified by MonsterInsights