Mesfushori i talentuar boshnjak, Kerim Alajbegovic, është shumë pranë transferimit te AS Roma.
Sipas raportimeve të mediave italiane, 19-vjeçari ka dhënë pëlqimin për t’iu bashkuar klubit nga kryeqyteti italian, duke e parë Romën si ambientin ideal për zhvillimin e karrierës së tij, sidomos nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit.
Thuhet se lojtari ka arritur tashmë marrëveshje personale me “Giallorossët”, me një kontratë dhe pagë që do të rritet nga sezoni në sezon.
Megjithatë, mbetet edhe hapi final: marrëveshja mes Romës dhe Bayer 04 Leverkusen, klub që zotëron kartonin e futbollistit. Gjermanët e rikthyen së fundmi talentin e tyre nga Red Bull Salzburg dhe janë të gatshëm ta shesin vetëm për ofertën e duhur.
Alajbegovic konsiderohet një nga talentët më premtues të futbollit boshnjak dhe interesimi i Romës tregon besimin e madh që klubi italian ka për potencialin e tij.



