Brukseli hapi dyert për shumë kryediplomatë të hënën.
Krejt kjo, për tu zhvilluar takimi i përbashkët mes 27 shefave të diplomacisë në BE dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.
Pjesë e diskutimeve, ishte edhe dialogu mes Kosovës e Serbisë, ku Kallas zbuloi se kryeministri në detyrë Albin Kurti me presidentin serb, Alexander Vuçiq, ishin gati për t’u takuar.
“Ne në fakt e kishim planifikuar dialogun Beograd-Prishtinë, dialogun politik të nivelit të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve. Por tani kemi përsëri zgjedhje në Kosovë, të cilat, sigurisht, po e shtyejnë procesin.”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë përfaqësuesja e lartë e BE-së shtoi se po punon me të dy palët për zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se Kosova është e gatshme për avancim veç me proces meritor.
Kallas bëri me dije se po përgatiten për samitin e BE-Ballkan Perëndimor, që do të mbahet në qershor në Mal të Zi.



