Mbrojtësi gjerman Antonio Rudiger pritet të vazhdojë aventurën e tij me gjigantin spanjoll Real Madrid, pasi ka pranuar zyrtarisht ofertën e klubit për rinovimin e kontratës.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle AS, Rudiger ka dhënë “dritën jeshile” për të vazhduar qëndrimin e tij në “Santiago Bernabéu”, duke u bërë pjesë e projektit të “Los Blancos” edhe për të paktën një sezon tjetër, transmeton Klankosova.tv.
Qendërmbrojtësi gjerman ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Real Madridit që prej ardhjes së tij në klub, duke fituar besimin e stafit teknik dhe duke u shndërruar në një element të pazëvendësueshëm në formacion.
Fillimisht, Rudiger kishte kërkuar një kontratë dyvjeçare për të siguruar më gjatë të ardhmen e tij në Madrid, megjithatë në fund ka pranuar politikën e klubit spanjoll, i cili zakonisht preferon rinovime më afatshkurtra për futbollistët me moshë dhe përvojë më të madhe.
Me këtë vendim, Real Madridi siguron vazhdimësinë e një prej lojtarëve më të rëndësishëm në repartin defensiv, ndërsa Rüdiger mbetet i fokusuar në objektivat e mëdha të klubit në garat vendore dhe ato evropiane.


