Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar me shumicë votash Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027–2029, dokumentin që përcakton orientimet strategjike dhe planifikimin financiar të kryeqytetit për tri vitet e ardhshme. Propozimi u miratua me 41 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim.
Gjatë prezantimit të dokumentit, drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Makolli, theksoi se KAB është dokumenti bazë për zhvillimin dhe planifikimin buxhetor të kryeqytetit, i hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe qarkoren buxhetore të Ministrisë së Financave.
Në debatin e zhvilluar gjatë seancës, përfaqësues të grupeve politike shprehën mbështetje për dokumentin, por edhe paraqitën vërejtje dhe rekomandime lidhur me prioritetet zhvillimore, investimet kapitale dhe menaxhimin e financave komunale.
Korniza Afatmesme Buxhetore do të shërbejë si bazë për hartimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitet e ardhshme dhe përcakton objektivat kryesore financiare dhe zhvillimore të kryeqytetit.



