Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi, pas caktimit të datës për shpalljen e aktgjykimit në procesin gjyqësor në Hagë. Sipas Hamzës, biseda përfundoi me shpresën se së shpejti do të takohen në Kosovë.
Hamza ka theksuar se gjatë bisedës kanë diskutuar për zhvillimet e fundit dhe ka shprehur mbështetjen e tij, duke uruar që procesi të marrë epilog sa më shpejt.
“Biseda përfundoi me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, është shprehur Hamza, duke e cilësuar këtë si një dëshirë të përbashkët.
Deklarata e tij vjen pasi u caktua data për shpalljen e aktgjykimit në rastin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë, një zhvillim që ka rikthyer vëmendjen ndaj procesit gjyqësor.



