Fermerë nga zona të ndryshme të Kosovës kanë nisur protestën para objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke kërkuar zgjidhje për shqetësimet e tyre lidhur me mbështetjen institucionale dhe politikat bujqësore.
Protestuesit kanë shprehur pakënaqësi për vonesat në subvencione, vështirësitë me grantet dhe sfidat me të cilat përballen në zhvillimin e aktivitetit të tyre bujqësor. Ata kërkojnë dialog me institucionet dhe marrjen e masave konkrete për adresimin e kërkesave të tyre.
Në vendin e protestës janë të pranishme edhe njësitë e Policisë së Kosovës, të cilat po kujdesen për mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë publike.
Fermerët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë derisa të marrin përgjigje nga autoritetet për kërkesat e tyre, ndërsa nga Ministria e Bujqësisë ende nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me protestën.



