Një shkollë fillore në Britani ka gjetur një mënyrë të veçantë për t’u mundësuar nxënësve të përjetojnë emocionet e Kupës së Botës, pa u detyruar të qëndrojnë zgjuar deri në orët e vona të natës.
Drejtuesit e shkollës fillore “Linthorpe” vendosën ta transmetonin ndeshjen e fazës së 1/8-ës së finales mes Anglisë dhe Meksikës në sallën e asambleve, pasi rezultati ishte mbajtur i fshehtë nga nxënësit.
Ndeshja ishte planifikuar të niste në orën 01:00 pas mesnate me orën britanike, çka, sipas drejtoreshës Grace Mitchell, ishte tepër vonë për moshën e fëmijëve, transmeton Klankosova.tv.
“Turne si ky janë një mundësi fantastike për ta bashkuar komunitetin tonë shkollor dhe për të festuar diversitetin që na karakterizon”, tha Mitchell.
Atmosfera në shkollë ishte e ngjashme me atë të një stadiumi. Nxënësit dhe stafi u paraqitën të veshur me fanellat e ekipeve të tyre të preferuara, ndërsa salla ishte dekoruar me flamuj dhe banderola.
Për Scarlet, një nga nxënëset, kjo ishte hera e parë që ndiqte Anglinë në këtë Kupë Bote. Ajo u dërgoi edhe një mesazh futbollistëve anglezë.
“Jepni më të mirën tuaj dhe, edhe nëse nuk fitoni, ne do të jemi sërish krenarë”, tha ajo.
Edhe Henry, i cili kishte ndjekur të gjitha ndeshjet e Anglisë në turne, u shpreh i entuziazmuar nga atmosfera e krijuar në shkollë.
“Salla është mbushur me dekorime dhe madje edhe mësuesit kanë ardhur me banderola. Ndihet një atmosferë e vërtetë angleze këtu”, tha ai.
Duke iu drejtuar ekipit kombëtar, Henry shtoi: “Edhe nëse humbisni, keni arritur shumë deri këtu.”


