Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se mbështetja ekonomike për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara është dyfishuar, në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030.
Sipas Ramës, nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 11 mijë fëmijë dhe të rinj, ndërsa paketa e re përfshin edhe zgjerimin e shërbimeve në komunitet, akses më të lehtë në arsim, punësim dhe rehabilitim.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se shteti do të mbulojë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për nënat dhe kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke synuar lehtësimin e barrës ekonomike për familjet.
Rama theksoi se kjo është pjesë e angazhimit të qeverisë për të garantuar më shumë mbështetje dhe përfshirje sociale për personat me aftësi të kufizuara, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe mundësitë e tyre për integrim në shoqëri.



