Një rast i debatueshëm është raportuar në fshatin Llacë të Tetovës, ku një banor pretendon se imamët e fshatit nuk kanë pranuar t’ia varrosin nënën me arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar.
Sipas djalit të së ndjerës, atij i është thënë se nëse nuk e largonte flamurin, varrimi nuk do të bëhej. Për këtë arsye, ai thotë se vendosi ta varroste nënën me flamur kombëtar dhe pa praninë e hoxhallarëve.
“Familja jonë ka kontribuar në luftë”, ka deklaruar ai, duke rrëfyer edhe bisedën që, sipas tij, ka pasur me imamët: “Më thanë se nëse nuk e heq këtë flamur, nuk varroset. Thash udha e mbarë iu qoftë”.
Pas këtyre pretendimeve ka reaguar edhe Xhamia e fshatit Llacë. Nga xhamia kanë kundërshtuar mënyrën se si është paraqitur rasti dhe kanë paralajmëruar se do të publikojnë materiale të tjera për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Rasti ka nxitur reagime dhe diskutime në opinion, ndërsa mbetet për t’u parë versioni i plotë i ngjarjes nga të dyja palët.







