Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka njoftuar për organizimin e një tubimi paqësor në Hagë, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas organizatorëve, tubimi do të nisë më 15 shtator në orën 22:00 dhe do të vazhdojë gjatë gjithë natës deri më 16 shtator në orën 10:00, kur pritet të shpallet aktgjykimi.
Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, tha se synimi është që Haga të shndërrohet në një “Natë të Pritjes”, ku mërgata shqiptare do të bashkohet me qytetarët për të pritur vendimin në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të shqiptarëve nga diaspora, ndërsa kanë theksuar se tubimi do të zhvillohet në përputhje me ligjet dhe udhëzimet e autoriteteve holandeze, me masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Ndërkohë, “Liria ka Emër” po zhvillon aktivitete edhe në Kosovë. Disa komuna kanë nisur vendosjen e orëve të numërimit mbrapsht deri më 16 shtator, ndërsa platforma ka bërë thirrje që edhe komunat e tjera t’i bashkohen kësaj nisme.
Platforma ka njoftuar gjithashtu për Marshin për Liri më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa përgatitjet për aktivitetet në Kosovë dhe diasporë do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.







