Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me takimet mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Totaj është shprehur skeptik për mundësinë e parashikimit të hapave të mëtejshëm të Kurtit, duke thënë se veprimet e tij, sipas tij, nuk mund të analizohen gjithmonë përmes një logjike të zakonshme.
“E vështirë të parashikohet. Atij njeriu nuk i besohet. Nuk i dihet çka i bie në mendje atij”, ka deklaruar Totaj.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur Kurti dhe Abdixhiku po zhvillojnë takime të njëpasnjëshme në përpjekje për të gjetur një marrëveshje rreth presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Në takimin e fundit, palët kanë diskutuar edhe për emra konkretë për postin e presidentit, ndonëse emrat nuk janë bërë publikë. Kurti ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë dhe se është rritur mirëbesimi mes palëve, por ka pranuar se negociatat mbeten të vështira.
Synimi i deklaruar i palëve është arritja e një marrëveshjeje që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.







