Home > Ballina > Nafta arrin deri në 1.94 euro në Kosovë, MINTI: Nuk kemi evidentuar abuzim me çmime

Nafta arrin deri në 1.94 euro në Kosovë, MINTI: Nuk kemi evidentuar abuzim me çmime

///
Comments are Off

Çmimi i naftës në Kosovë ka arritur deri në 1.94 euro për litër, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit thotë se deri më tani nuk ka evidentuar abuzime me çmimet e derivateve.

MINTI ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po vazhdon monitorimin e çmimeve në pikat e shitjes në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës të cituara nga Ministria, gjatë 24 orëve të fundit çmimi i importit të naftës ishte 1.83 euro për litër, ndërsa çmimi me pakicë në pompa ka lëvizur nga 1.92 deri në 1.94 euro.

Për benzinën, çmimi i importit është raportuar në 1.54 euro për litër, ndërsa në treg është shitur nga 1.61 deri në 1.67 euro.

MINTI thotë se, duke u bazuar në çmimet e deklaruara të importit, deri më tani nuk është vërejtur ndonjë abuzim me çmimin e shitjes.

Ministria ka paralajmëruar se, nëse konstatohet dhe verifikohet abuzim nga kompanitë e derivateve, mund të shqyrtohet rikthimi i vendimit për përcaktimin e marzhës maksimale të lejuar tregtare për shitjen me shumicë.

Sipas MINTI-t, rritja aktuale nuk lidhet me lëvizje të brendshme të tregut në Kosovë, por me rritjen e kostos së furnizimit si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Verified by MonsterInsights