Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje qytetarëve që më 1 tetor t’i bashkohen marshit të paralajmëruar në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Tubimi do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 16:00.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza ka ftuar qytetarët që t’u bashkohen studentëve dhe veteranëve në protestë, duke e cilësuar aktgjykimin si padrejtësi. Ky është qëndrimi politik i shprehur prej tij ndaj vendimit të gjykatës.
“Të bashkohemi me studentët, veteranët dhe qytetarët e vendit tonë për të ngritur zërin kundër padrejtësisë në Hagë. Të bashkuar, ta mbrojmë të drejtën dhe dinjitetin tonë”, ka shkruar Hamza.
Marshi i 1 tetorit organizohet nga platforma qytetare “Liria Ka Emër” nën moton “Jo në emrin tim”. Organizatorët kanë bërë të ditur se data është zgjedhur edhe për simbolikën e saj, duke e lidhur me protestën studentore të 1 tetorit 1997 në Kosovë.
Mbështetje për protestën kanë paralajmëruar edhe studentë të Fakultetit Filozofik, pas një takimi me përfaqësuesit e platformës Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli.
Platforma ka paralajmëruar se pas marshit në Prishtinë do të vazhdojë aktivitetet edhe jashtë Kosovës. Një protestë tjetër me të njëjtin mesazh është planifikuar për 10 tetor në Bruksel, ndërsa organizatorët kanë njoftuar edhe nisjen e një peticioni qytetar që synojnë ta dërgojnë në Bruksel, Strasburg dhe Hagë.
Protestat pasojnë aktgjykimin e 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara. Trupi Gjykues i shpalli Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin fajtorë për krime lufte që përfshijnë arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet.




