Ardit Kutleshi, 28-vjeçar nga Kosova, ka pranuar fajësinë në Shtetet e Bashkuara për rolin e tij në krijimin dhe funksionimin e “Rydox”, një treg ilegal në internet ku shiteshin të dhëna personale të vjedhura dhe mjete të përdorura për krime kibernetike dhe mashtrime.
Kutleshi u deklarua fajtor më 22 shtator në Gjykatën Federale për Distriktin Perëndimor të Pensilvanisë për vjedhje të rënduar të identitetit dhe komplot për pastrim parash.
Rydox kishte funksionuar të paktën që nga viti 2016 dhe gjatë kësaj periudhe kishte realizuar mbi 7,600 transaksione që përfshinin të dhëna personale të vjedhura, kredenciale për qasje në llogari, mjete identifikimi dhe produkte e shërbime për krime kibernetike.
Nga aktiviteti i platformës ishin gjeneruar të paktën 232 mijë dollarë të ardhura.
Në platformë ishin ofruar për shitje edhe mbi 321 mijë produkte të lidhura me krimin kibernetik për më shumë se 18 mijë përdorues. Në mesin e tyre kishte emra, adresa, numra të sigurimeve shoqërore, të dhëna të kartave të kreditit, kredenciale të vjedhura të llogarive online dhe mjete për realizimin e mashtrimeve.
Një pjesë e të dhënave personale të shitura në Rydox u përkisnin viktimave në Shtetet e Bashkuara.
Kutleshi ishte arrestuar nga autoritetet kosovare në dhjetor të vitit 2024 dhe më pas ishte ekstraduar në SHBA gjatë vitit 2025.
Në të njëjtën kohë me arrestimet, domeni Rydox.cc ishte konfiskuar dhe platforma ishte nxjerrë jashtë funksionit. Serverët që e mbanin faqen aktive ishin sekuestruar në Kuala Lumpur të Malajzisë.
Autoritetet kishin siguruar gjithashtu autorizim për konfiskimin e rreth 225 mijë dollarëve në kriptovaluta nga llogari të kontrolluara nga të pandehurit.
Në këtë rast ishte përfshirë edhe vëllai i Arditit, Jetmir Kutleshi. Ai gjithashtu e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar në dhjetor të vitit 2025, para se të deportohej në Kosovë.
Një person i tretë i lidhur me administrimin e Rydox, Shpend Sokoli, ishte arrestuar në Shqipëri në dhjetor të vitit 2024.
Dënimi ndaj Ardit Kutleshit pritet të shpallet më 9 shkurt 2027.
Për akuzën e vjedhjes së rënduar të identitetit ai përballet me dënim minimal të detyrueshëm prej dy vjetësh burgim, ndërsa për komplotin për pastrim parash dënimi maksimal i paraparë është 20 vjet. Masa përfundimtare e dënimit do të caktohet nga gjykata.
Hetimi ishte rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar që përfshiu institucionet e Kosovës, SHBA-së, Shqipërisë dhe Malajzisë.





