Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, pas disa javësh përplasjesh politike rreth plotësimit të kësaj pozite në Kryesinë e Kuvendit.
Në votimin e mbajtur të hënën, Çitaku mori 95 vota për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Pas përfundimit të votimit, Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e tjera të rendit të ditës, përfshirë formimin e komisioneve parlamentare.
Zgjedhja e Çitakut vjen pas një periudhe të tensionuar mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje rreth pozitës së nënkryetarit që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar.
Më 11 shtator, kandidatura e Çitakut kishte dështuar të siguronte votat e nevojshme. Në atë votim ajo mori 44 vota për, një kundër dhe 56 abstenime, ndërsa deputetët e PDK-së më pas e lëshuan sallën e Kuvendit.
Një ditë më vonë, Vetëvendosje njoftoi se kishte vendosur ta mbështeste kandidaturën e saj dhe atë të Kujtim Shalës të LDK-së, duke e lidhur këtë vendim me nevojën për stabilitet institucional dhe shmangien e një cikli tjetër zgjedhor.
Megjithatë, më 13 shtator, Kuvendi u shpall i konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e PDK-së, pasi kjo parti nuk mori pjesë në seancë dhe e kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën e Çitakut. Në atë seancë u zgjodhën nënkryetarët nga LDK-ja dhe komunitetet joshumicë.
Çështja më pas përfundoi edhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi PDK-ja kontestoi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Më 23 shtator, Kushtetuesja konstatoi se Kuvendi ishte konstituuar, ndonëse pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, dhe se formimi i Qeverisë nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Në të njëjtin aktgjykim, Gjykata kërkoi që deputetët ta zgjedhin sa më parë nënkryetarin nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, pra PDK-së.
Me zgjedhjen e Çitakut me 95 vota, plotësohet edhe pozita e PDK-së në Kryesinë e Kuvendit.
Çitaku është deputete e PDK-së dhe një prej figurave kryesore të kësaj partie. Para zhvillimeve të fundit, PDK-ja kishte insistuar se emri i saj ishte propozimi zyrtar i grupit parlamentar për këtë pozitë.





