Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas seancës së Kuvendit ku u miratua deklarata lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Tahiri tha se një qëndrim i tillë institucional është dashur të merrej më herët, duke e konsideruar seancën të vonuar. Megjithatë, ai e vlerësoi si të rëndësishëm faktin që deputetët arritën të shprehin një qëndrim të përbashkët shtetëror për këtë çështje.

Sipas tij, angazhimi i institucioneve dhe unifikimi politik rreth çështjeve që lidhen me luftën e UÇK-së dhe procesin ndaj katër ish-krerëve të saj në Hagë është jetik.

Tahiri theksoi se qëndrimet individuale të përfaqësuesve politikë kanë ekzistuar edhe më herët, por shtoi se deklarimi i Kuvendit ka peshë tjetër, pasi përfaqëson një zotim institucional të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

Ai rikujtoi gjithashtu se AAK-ja kishte kërkuar që Kuvendi të dilte me një qëndrim politik dhe institucional pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.

Tahiri u shpreh i kënaqur me kontributin e partisë së tij në shtyrjen përpara të kësaj çështjeje, duke e konsideruar atë pjesë të një agjende të rëndësishme shtetërore.

Deklarata e Kuvendit u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, pas harmonizimit të tekstit ndërmjet grupeve parlamentare shqiptare.

Në të shprehet shqetësimi i Kuvendit lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkohet një qasje e koordinuar institucionale, juridike dhe diplomatike nga institucionet e Kosovës.