Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur të enjten vizitën e saj zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Takimi mes Von der Leyen dhe Haxhiut është zhvilluar në Presidencën e Kosovës, në kuadër të agjendës së presidentes së Komisionit Evropian gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë.

Vizita e Von der Leyen në Kosovë është pjesë e turneut të saj të gjashtë vjetor në Ballkanin Perëndimor, i cili këtë herë përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të turneut janë hapat e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian, procesi i integrimit gradual dhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili ka një vlerë prej 6 miliardë eurosh për rajonin.

Pas takimit me Haxhiun, Von der Leyen do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit është paraparë edhe një konferencë për media.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, presidentja e Komisionit Evropian është paraparë të vizitojë edhe hapësirat e reja të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës, projekt i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Para mbërritjes në Kosovë, Von der Leyen qëndroi në Shqipëri, ndërsa pas Prishtinës do të vazhdojë turneun drejt Podgoricës. Vizita rajonale përmbyllet më 2 tetor në Shkup.