Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit evropian, çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin rajonal.
Kurti e falënderoi Hofreiterin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Bundestagun gjerman.
Në fokus të diskutimit ishte edhe rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ku Kurti kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për avancimin e aplikimit të Kosovës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kryeministri tha se Kosova e meriton këtë status, duke argumentuar se gjatë viteve të fundit vendi ka bërë përparim në demokraci, sundimin e ligjit, siguri dhe ekonomi.
Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por vazhdon të ketë statusin e vendit potencial kandidat.
Për të avancuar më tej procesi, Këshilli i Bashkimit Evropian duhet t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.
Kërkesa për mbështetje nga Gjermania vjen vetëm pak ditë pasi përfaqësues të Kosovës zhvilluan takime edhe në Berlin me anëtarë të Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag, duke kërkuar angazhim për avancimin e aplikimit.
Hofreiter po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite gjatë së cilës ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të tjerë institucionalë dhe politikë.




