Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të përfundojnë në Kuvend para se PDK-ja të hyjë në diskutime për zgjedhjen e presidentit të ri.

Hamza tha se për PDK-në nuk mjafton vetëm procedimi i Projektligjit, por kërkohet që ai të kalojë nëpër të gjitha fazat parlamentare dhe të miratohet në të dy leximet.

“Fillimisht duhet të aprovohet ligji, dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet dhe në të dy leximet. Pastaj, ne jemi të hapur të bisedojmë për çështjen e presidentit”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se vendit i nevojitet stabilitet politik dhe se secili institucion duhet t’i përmbushë përgjegjësitë e veta.

Sipas tij, çështja e Dhomave të Specializuara tejkalon interesat e një partie apo të një qeverie dhe duhet të trajtohet si çështje me rëndësi më të gjerë shtetërore.

Deklarata vjen pasi Qeveria e Kosovës përfundoi shqyrtimin e nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Qeveria ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e nismës dhe ia ka përcjellë Kuvendit opinionin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe opinionin juridik për përmbajtjen e Projektligjit.

PDK-ja tash po kërkon që Kuvendi të nisë menjëherë procedurat parlamentare. Deputetë të kësaj partie kanë kërkuar që Projektligji të trajtohet në seancë dhe të votohet në të dy leximet.

Në këtë proces rëndësi ka edhe afati ndërmjet dy leximeve. Përfaqësues të PDK-së kanë theksuar se procedura duhet të nisë sa më shpejt duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve.

Koha është bërë edhe më e rëndësishme për shkak të procesit paralel për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026, çka ka intensifikuar takimet dhe komunikimet ndërmjet partive parlamentare.

Hamza ka bërë të qartë se PDK-ja është e gatshme të diskutojë për presidentin, por vetëm pasi të përfundojë procesi i Ligjit për Specialen.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu vazhdimin e takimeve me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa Specialja dhe çështja e presidentit mbeten dy prej temave kryesore të diskutimeve politike të këtyre ditëve.