Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike dhe kritikave ndaj partisë së tij lidhur me qëndrimin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja nuk do të lejojë që historia e luftës dhe patriotizmi të përvetësohen nga një subjekt i vetëm politik.
“UÇK-ja është edhe gjaku ynë”, ka deklaruar ai, duke theksuar njëkohësisht lidhjen e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
Kreu i LDK-së ka thënë se partia e tij do të vazhdojë në rrugën politike të Ibrahim Rugovës, duke mbrojtur orientimin euroatlantik dhe partneritetin e Kosovës me aleatët perëndimorë.
Ai ka reaguar edhe ndaj kritikave dhe presionit që LDK-ja ka marrë gjatë ditëve të fundit, duke thënë se etiketimet dhe kërcënimet nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e partisë.
“Përballë shantazhit veç forcohemi”, ka deklaruar Abdixhiku.
Reagimi vjen pasi deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votimin e së hënës për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
LDK-ja kishte argumentuar se ndryshimet e propozuara mund të mos prodhojnë efektin juridik të synuar dhe se çështjet që lidhen me aktgjykimet duhet të trajtohen përmes procedurave gjyqësore dhe apelit.
Projektligji megjithatë kaloi në lexim të parë me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Qëndrimi i LDK-së ka shkaktuar reagime edhe brenda vetë partisë. Në Obiliq, disa përfaqësues lokalë kanë njoftuar dorëheqje nga strukturat partiake, duke e lidhur vendimin pikërisht me qëndrimin ndaj çështjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Abdixhiku ka kritikuar gjithashtu situatën institucionale në vend, duke thënë se, sipas tij, po të ishte ndjekur propozimi i LDK-së, Kosova tashmë do të kishte president dhe stabilitet institucional.
Ai ka thënë se vendit i nevojitet edhe angazhim institucional për mbrojtjen ndërkombëtare të së vërtetës së luftës së Kosovës.
Deklarata e Abdixhikut vjen në ditën kur përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe në kohën kur debati për votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Specialen vazhdon të dominojë skenën politike.






